Tre persona theren me thikë në Prishtinë, policia në kërkim të sulmuesve
Tre persona kanë marrë lëndime si pasojë e një përleshje fizike që ka ndodhur sot në lagjen “Emshir” në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00, saktësisht në një shkollë, ku ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave, njofton Policia e Kosovës.
Pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të mbështetura nga hetuesit e stacionit policor Jugu, si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Personat e lënduar si pasojë e therjes me thikë janë A. A. mashkull (16), Sh. B. (17) dhe Sh. A., mashkull (17), të gjithë shtetas të Kosovës, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.
Në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve, si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre.























