Kanabis dhe armë në Selenicë, 1 në pranga, 2 në kërkim
Vijon kontrolli i pandërprerë i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Goditet një tentativë për kultivim të bimëve narkotike në një zonë në territorin e fshatit Lapardha të Selenicës. Në pranga ka rënë shtetasi J.L, 29 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim R. L. 28 vjeç dhe M. L., 28 vjeç, si bashkëpunëtorë të implikuar në lidhje me ngjarjen.
"Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe asgjësuar fidanë cannabis sativa, si dhe ka gjetur të fshehura 2 armë zjarri (një automatik model 56' dhe një pistoletë model 54') si dhe municion luftarak" njofton policia.
Po në vijim të veprimeve për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale "Moskallëzim Krimi" shtetasi A. L, banues në fshatin Lapardha, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve" të kryera në bashkëpunim./oranews/























