I gjenden 12.4 kg drogë në banesë, arrestohet i riu në Vlorë
Policia ka gjetur 12.4 kg kanabis në një banesë në afërsi të fshatit Llakatund të Vlorës.
Gjatë operacionit në zonën e Fermës u vu në pranga 24-vjeçari me iniciale R. R.
“Nga kontrolli i ushtruar në banesë, u gjet dhe sekuestrua 12.4 kg lëndë narkotike, e dyshuar si cannabis sativa”, njofton policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Ndërkohë uniformat blu në Vlorë vunë në pranga edhe një 45-vjeçar të shpallur në kërkim për trafikim lëndësh narkotike, përcjell oranews.
“U ndalua shtetasi E. I., 45 vjeç, banues në Vlorë, pasi me vendim të formës së prerë është dënuar me 1 vit e 1 muaj burgim për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim”, informon policia.























