Shpërndanin lëndë narkotike, arrestohet 58 vjeçari dhe i biri në kërkim
Komisariati i Policisë Nr. 5 Kamëz, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve kanë goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, duke finalizuar operacionin e koduar "Proper Movement".
Policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të një shtetasi 58-vjeçari me iniciale M.J që posedonte lëndën narkotike, si dhe shpallet në kërkim policor djali i tij, shtetasi me iniciale B.J, 24 vjeç.
Nga informacionet e marra dhe veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi B. J. merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit cannabis sativa, në afërsi të shkollave të mesme të Kamzës dhe në aktivitetin e tij kriminal ndihmohej nga babai i tij.
Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti 170 doza me lëndë narkotike cannabis, një sasi tjetër të papaketuar me cannabis sattiva, një makineri që shërbente për bluarjen e lëndës narkotike cannabis dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” në ngarkim të shtetasve M. J dhe B. J./oranews/























