Armë pa leje dhe vjedhje, dy të arrestuar në Fier
Policia e Fierit ka goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, ndërsa në pranga është vënë një 24-vjeçar.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit A. B, 24 vjeç, banues në Levan, Fier", thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 1 krehër dhe 10 fishekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara, u kap dhe u ndalua një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje.
"Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim shtetasin E. B, 19 vjeç, banues në Boçovë, Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 25.01.2020 ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale "Vjedhja", sqaron policia.
Materialet procedurale për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier./oranews/























