Kërkohej nga Interpoli në Itali, arrestohet në Tiranë

Kërkohej nga Interpoli në Itali, arrestohet në Tiranë

Shtetasi 31 vjeçar, Erjol Ceka, i cili kërkohej nga drejtësia italiane si i dënuar për një sërë veprash penale, është arrestuar në Tiranë, me qëllim ekstradimi.

Policia e Shqipërisë njofton se mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar nga drejtësia italiane, për një sërë veprash penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Kamza", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Erjol Ceka, 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali.

“Autoritetet gjyqësore në Torino, Itali, me vendimin penal Nr. 997/2019 SIEP, datë 17.02.2020, e kanë dënuar këtë shtetas me 13 vjet, 3 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Ky shtetas dyshohet se më datë 17.01.2011, në Asti, Itali, ka tentuar që të shtypë me makinë shtetasin italian S. S., duke i shkaktuar atij plagosje dhe fraktura. Më datë 14.12.2012, së bashku me një person tjetër, ka vjedhur para dhe sende me vlerë në një bar. Gjithashtu, më datë 31.01.2015, në bashkëpunim me një person tjetër, ka plagosur rëndë me thikë shtetasin shqiptar A. G”, thuhet në njoftim.

Materialet e arrestimit të përkohshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.