Prokuroria jep detaje për aksidentin në Gjilan, ku humbi jetën 24 vjeçari

Prokuroria jep detaje për aksidentin në Gjilan, ku humbi jetën 24 vjeçari

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ndodhi mesditën e së premtes në Gjilan, ku si pasojë humbi jetën një 24-vjeçar.

Në këtë aksident ishin të përfshira një veturë dhe një motoçikletë, ku drejtuesi i kësaj të fundit humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi se ngasësi i veturës kishte shkaktuar aksidentin, pasi ishte kthyer në mënyrë të pasigurt.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se sot, më 10 prill 2020, rreth orës 12:10 minuta, në Gjilan, ka ndodhur një aksident me fatalitet, në të cilin ka qenë i përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari M.H., ka rrezikuar trafikun publik, në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e markës ‘Opel Corsa’, për shkak të kthimit të pasigurt, ka goditur motoçikletën e markës ‘Honda’, të cilën e drejtonte i ndjeri D.H., nga Gjilani, duke i shkaktuar lëndime me pasoja fatale, me ç’rast dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pa shenja jete”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Lexo po ashtu:

Ndërron jetë motoçiklisti pas një aksidenti në Gjilan

Me aktvendim të prokurorit, ngasësi i veturës është ndaluar për 48 orë.

“I dyshuari M.H., me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik’’, nga neni 370 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet nga Gjykata kompetente në Gjilan masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet në komunikatë