Nisin hetimet për djegien e 23 lopëve, 200 pulave dhe 100 pëllumbave
Të enjten kanë filluar hetimet për djegien e stallës së lopëve dhe shpezëve në fshatin Vaganicë, të Komunës së Mitrovicës.
Sipas zëdhënësit për informim të Stacionit Policor të Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, rasti është iniciuar për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Behar Franca, djali i njërit prej pronarëve të fermës Sinan Franca, ka thënë se kanë humbur 23 krerë lopë si dhe 200 copa pula dhe 100 copa pëllumba nga shkaktimi i këtij zjarri.
“Shkaktar i zjarrit ka qenë rryma elektrike. 23 lopë janë të djegë, ndërsa 9 lopë i kemi shpëtuar e që 4 prej tyre janë me djegie të pjesëve të trupit. Janë djeg edhe 200 copa pula dhe 100 pëllumba”, ka thënë ai.
Ai tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, ndërsa zjarrfikësit janë njoftuar në ora 21:52, përderisa në vend të ngjarjes kanë mbërritur në ora 23:20 minuta.
Dëmet i konfirmoi edhe pronari tjetër i fermës, Faik Franca, i cili tha se gjatë përpjekjes për t`i liruar krerët e lopëve kishte pësuar edhe vet lëndime trupore.
Ai shtoi se kanë qenë zyrtarë komunal për t’i parë dëmet dhe se pritet të shkojnë përsëri për inspektime të mëtutjeshme.
Lidhur me këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe drejtorin e inspektoratit në Mitrovicë, Hysni Ahmeti, i cili tha se inspektorët i ka dërguar në vend të ngjarjes ndërsa pritet të ndërmerren veprime konkrete pas marrjes së raportit nga zyrtarët e KEK-ut, lidhur me shkakun e zjarrit në objekt.























