Në pranga 30-vjeçari, iu gjet kokainë në automjet
Policia e Shtetit ka goditur sot një rast të drogave të forta në Fier, duke vënë në pranga një 30 vjeçar.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, krahas punës për kontrollin e zbatimit të masave kufizuese për mospërhapjen e COVID-19, kanë vijuar punën për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
“Në vijim të kontrolleve të shtuara nëpër rrugët e qytetit me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët për hetimin e narkotikëve kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: K.Ll., 30 vjeç, banues në Vlorë. Në lagjen “16 Prilli” Fier, ky shtetas është kapur duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur, dhe gjatë kontrollit në mjet, poshtë sediles iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë e ndarë në doza të vogla”, shprehet policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”.























