Mbeten në burg tetë të dyshuarit për një rrahje në Podujevë

Mbeten në burg tetë të dyshuarit për një rrahje në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.S., L.J., A.S., E.H., R.K., M.H., A.K. dhe G.H. për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par. 1 nën par. 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par.1 nën par. 1.1, dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së kundër tetë të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekziston rreziku i ikjes së tyre, po ashtu të njëjtit mund të fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit, në bashkëpjesëmarrësit dhe dëshmitarët tjerë eventual, si dhe nëse do të jenë në liri të njëjtit mund të përsërisin veprën penale ose të kryejnë vepra të ngjashme penale.