Arrestohen një mjek në Vushtrri dhe pronari i një lokali në Prishtinë
Sharr Travel

Arrestohen një mjek në Vushtrri dhe pronari i një lokali në Prishtinë

Dy persona janë arrestuar për mosrespektim të dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë, njëri prej të cilëve është mjek.

Rasti i parë ka ndodhur në Komunën e Vushtrrisë, ndërkaq rasti tjetër në Prishtinë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nuk ka respektuar vendimin e Ministrisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportn e policisë.

Ndërsa, për të njëjtin rast është sqaruar edhe Komuna e Vushtrrisë gjatë ditës së djeshme.

“Duke vepruar në bazë të informatave nga qytetarët, Inspektorati Komunal ka njoftuar Policinë e Kosovës në Vushtrri, e cila mbrëmë me datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në rrugën ‘Skënderbeu’-Vushtrri, ka ndaluar personin A.A, me profesion mjek, punëtor i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, më herët i infektuar me virusin COVID-19, i cili deklaron se para dy ditësh është ritestuar dhe i njëjti ka rezultuar negativ sa i përket këtij virusi, mirëpo i njëjti nga IKSHP është udhëzuar që të qëndrojë në vetizolim edhe për dy javë dite, mirëpo nuk e ka respektuar këtë masë. Prokurori kujdestar ndaj të njëjtit ka filluar procedurë penale në bazë të nenit 249 të Kodit Penal të Kosovës,’Përhapja e sëmundjeve ngjitëse’”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Rasti tjetër, ka ndodhur në Prishtinë, ku pronari i një kompanie është ndaluar për kryerjen e punimeve në kohën kur është e ndaluar me vendim të MSH-së.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pronar i një kompanie për kryerjen e punimeve i cili nga njësiti policor është hasur duke kryer punime në kohën kur është e ndaluar me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndaj të dyshuarit është shqiptuar fletëparaqitje dhe iniciuar lënda e rastit mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, thuhet në raportin e policisë.