Grabitje e armatosur në një pikë derivatesh në Veternikë

Grabitje e armatosur në një pikë derivatesh në Veternikë

Një person i armatosur me forcë kishte grabitur një shumë parash një pikë derivatesh sot rreth orës 03:00 në lagjen Veternik, në Prishtinë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, lëndime trupore ka marr një person i cili ishte duke punuar në këtë pikë të derivateve.

“Sot rreth orës 03:00, kemi pranuar informatën për një grabitje të armatosur, në një pikë derivatesh në lagjen Veternik në Prishtinë. Rastit menjëherë i janë përgjigjur njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, të cilat kanë arritë të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar. Mbështetur në rezultatet fillestare të hetimit dyshohet se personi i dyshuar nën kërcënimin e armës (me forcë duke i shkaktuar lëndime viktimës), ka arrit të merr një sasi të parave dhe është nisur të largohet nga vendi i ngjarjes, por menjëherë njësitet policore janë vënë në ndjekje të tij”, ka thënë ajo.

Siç tregoi Ahmeti, Njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar.

“Ka qenë aksioni i shpejtë i policisë ai që ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit. Personit të dyshuar policia i ka gjet dhe konfiskuar një sasi të parave, dy telefona, një çantë etj. Po ashtu lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar për ekzaminim veturën të cilën po e drejtonte i dyshuari”, tha Ahmeti.

Sipas njoftimit, aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast.