Gjykata dënon me burg ish-kryebashkiakun e Hasit Adem Lala
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë Has, Adem Lala.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ndaj Lalës rëndon akuza për “shpërdorim detyre”.
Vendimi për ish-kryebashkiakun Lala është marrë javën e shkuar ndërsa dënimi është konvertuar në shërbim prove dhe ndalim të ushtrimit të një funksioni publik për 5 vitet e ardhshme, njofton euronews.albania.
Adem Lala, i zgjedhur si përfaqësues i koalicionit PS-LSI, ka drejtuar Hasin prej vitit 2015 deri në vitin 2019, kur pas zgjedhjeve të 30 qershorit drejtimi i bashkisë iu kalua Liman Morinës. Me profesion ish-ushtarak, ai ka qenë për dy mandate edhe kryetar i komunës Golaj, në Kukës.
Lala ishte zyrtari i parë nga qeverisja vendore që u mor në hetim nga SPAK. Çështja ndaj tij nisi fillimisht nga prokuroria e Kukësit e më pas iu transferua SPAK-ut, e cila më 18 qershor të vitit të kaluar e pati thirrur për të dhënë deklarime në lidhje me akuzat e ngritura.























