Përfshihen nga zjarri disa shtëpi në Graçanicë
Katër shtëpi janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm në Graçanicë, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci konfirmoi për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 07:30.
“Rreth orës 07:30 është raportuar për një zjarr në Graçanicë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe ekipet e zjarrfikësve. Nga informatat e para në vendin e ngjarjes janë ngritur dyshimet se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie për tu shpërndarë më pas në katër objekte. Aktualisht përqendrimi është në lokalizimin e zjarrit në mënyrë që të shmangen pasojat e përhapjes së tij më tej dhe evakuimin e banorëve përreth”, deklaroi ai.
Borovci bëri të ditur që janë ftuar edhe ekipe të tjera mbështetëse për fikjen e zjarrit, hetuesit e policisë për hetimin e rasteve të tilla të përkrahur edhe nga njësi të tjera për të menaxhuar me situatën, janë në vend ngjarjes të përqendruar.
“Nuk raportohet për persona të lënduar, përveç dëmeve materiale”, shtoi ai.
Po ashtu, nga shtëpitë janë duke u evakuuar banorët.























