Kapet 50-vjeçari nga Fushë Kruja me 4 mina me telekomandë
Policia e Durrësit godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.
Operacioni policor i koduar "Furnitori" ka çuar në sekuestrimin e 4 minave me telekomandë, të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 10.000 euro. Në pranga ka rënë poseduesi i tyre, Arben Elezi, 50 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë.
"Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin Arben Elezi, në Shkafanë, Ishëm, Durrës, dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 10.000 euro" njoftoi policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./oranews























