Vodhën para dhe produkte në një market në Vlorë, në pranga të rinjtë

Vodhën para dhe produkte në një market në Vlorë, në pranga të rinjtë

Pesë të rinj kanë rënë në prangat e policisë për vjedhjen e një biznesi në Vlorë, katër prej të cilëve me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Të arrestuarit janë R. L., 17 vjeç dhe I. T., 16 vjeç, të dy banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, K. B., 15 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë dhe E. XH., 18 vjeç, banues në Durrës.

Policia thotë se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit, në lagjen "Pavarësia 2", Vlorë, kanë vjedhur produkte të ndryshme dhe një sasi të vogël parash në marketin në pronësi të shtetasit D. H. dhe më pas kanë tentuar të largohen me një automjet me drejtues shtetasin B. S.

Gjithashtu, njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi i mitur I. T., dyshohet se më datë 19.09.2021, ka vjedhur disa sende personale dhe një shumë parash të një shtetasi.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 46 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar një shumë parash, produkte të vjedhura, mjetet që përdornin këta shtetas për realizimin e vjedhjeve, si dhe automjetin me të cilin tentuan të largoheshin pasi kishin kryer vjedhjen.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të kryera nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim./oranews