Plagosja e dyfishtë në Tiranë, arrestohen 3 persona
BKT
Kronika

Plagosja e dyfishtë në Tiranë, arrestohen 3 persona

Policia ka mundur që të zbardhë ngjarjen që ka ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy persona, Aleksandër Nikolla dhe Xhulio Vela.

Siç njofton policia, në pranga kanë rënë 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i tretë. Por numri i të arrestuarve nuk është ndalur me kaq pasi edhe një prej të plagosurve 28-vjeçari Nikolla është vënë në pranga për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Farjon Palushi, 27 vjeç, i cili ndodhet aktualisht me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe Daniel Manushi, po ashtu, 27 vjeç janë arrestuar si dy autorët e kësaj ngjarje. Në kërkim është shpallur Islam Xhetani, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Policia njofton se këta persona, të mërkurën rreth orës  17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri 28-vjeçarin Nikolla, dhe 26-vjeçarin Vela. Dy të plagosurit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta. Policia ka mundur të gjejë pistoletën që është përdorur në ngjarje nga autorët e dyshuar.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al


MË SHUME NGA Kronika