Aktakuzë për falsifikim të parave ndaj pesë kamerierëve në Prizren
Sharr Travel

Aktakuzë për falsifikim të parave ndaj pesë kamerierëve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B. gjatë periudhës së muajit tetor e deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në Prizren, është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara, me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P. 1.250.00 €, të gjitha në monedha metalike nga 2 €, me qëllim që ky i fundit t’i vërë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P. pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 €, duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € false paguan 200.00 € origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € false paguan 300.00 € origjinale, derisa në herën e tretë për 550.00 € false paguan 400.00 € origjinale, ashtu që në total i pandehuri B.B. arrin t’i shesë 1.250.00 € false për 900 euro.

“Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., gjatë periudhës kohore muaji tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara, të cilat i pandehuri T.P. i kishte siguruar – blerë nga i pandehuri B.B., ua dorëzon kolegëve të tij – të pandehurve: V.Z., L.E. dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që i pandehuri T.P. mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘VW Polo’, e parkuar ne bodrumin e njërës prej qendrave tregtare në Prizren, nga e cila veturë më pas ua dorëzon kolegëve, të pandehurve V.Z., L.E. dhe A.P., të gjitha në monedha metalike nga 2 €, të cilat të njëjtët i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm, që kanë vizituar lokalin, ku secili prej të pandehurve si shpërblim ka ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ashtu bëhet e ditur se pas zbatimit të urdhërkontrollit të Gjykatës nga ana e Policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën “VW Polo” në pronësi të të pandehurit T.P. dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve V.Z., L.E. dhe A.P., ku në total policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € false.

“Në këtë mënyrë, të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i parasë’, nga Neni 296 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.