12 muaj burgim ferizajasit për sulm fizik ndaj prindit
Sharr Travel

12 muaj burgim ferizajasit për sulm fizik ndaj prindit

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R. R. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkak të veprës penale “sulm”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgim efektiv në kohëzgjatje prej 12 muaj.

Gjykata gjithashtu i shqipton edhe dënim plotësues, Masën e Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik – Ambulator, kjo masë ekzekutohet brenda një viti dhe kryhet brenda kohës së dënimit të shqiptuar.

“I pandehuri akuzohet më 18 tetor 2021, rreth orës 08:00, në rrugën “Kruja” në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre, në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarit – prindit të tij, Sh. R., në atë mënyrë që i pandehuri me të zgjuar nga gjumi fillimit fillon të bëjë zhurmë, dhe me atë rast me të dëgjuar i dëmtuari del në korridor për të shikuar se çfarë është duke ndodhur, në atë moment i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e kap për fyti, mirëpo aty reagon motra e tij dhe arrin të largohet i pandehuri”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.