Policia e Lezhës parandalon vrasjen në Tiranë
Policia e Lezhës ka parandaluar vrasjen e një personi në Tiranë për prishjen e pazareve të drogës.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Oltion Bistri, në një komunikim për mediat informoi se është bërë i mundur arrestimi i 4 personave dhe shpallja në kërkim e 2 të tjerëve.
Në pranga kanë rënë shtetasit Mark Lamkja, 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”; Nikoll Marku, 62 vjeç dhe Marie Marku, 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Edmir Vlashi, 31 vjeç dhe Hektor Ndoka, 31 vjeç, persona me precedentë të theksuar kriminalë,njofton euronews.albania.
Sipas policisë, shtetasit Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.
“Këta shtetas, si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku. Ndërsa shtetasi Mark Lamkja, dhëndri i shtetasit Marku, është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë”, sqaron policia.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar mina me telekomandë, arsenal armësh dhe municionesh e lëndë narkotike.























