Arrestohen dy persona në Gjilan për posedim dhe shitje të kokainës
Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se hetuesit e IPK-së, gjatë ditës së djeshme në Gjilan, kanë arrestuar një punonjës të policisë (staf civil) dhe një qytetar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët pas pranimit të disa informacioneve përmes rrugëve operative – hetimore me dyshimin së në këtë rast ishte i përfshirë edhe një punonjës i policisë respektivisht një zyrtar i stafit civil i punësuar në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Pas këtyre veprimeve hetimore të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.























