Paraburgoset një person, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj të miturës
Gjatë muajit nëntor dhe atij dhjetor 2021, E.A dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur, nën moshën 16-vjeçare.
Në lidhje me këto dyshime, Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.A. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 nën paragrafi 4.5 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas komunikatës për medie, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, në kohë të pacaktuar në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, duke e ditur se e dëmtuara është nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare dhe pa pëlqimin e saj ka kryer akt seksual.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në komunikatë.























