Arrestohen 6 persona për "detyrim prostitucioni" në qendra masazhesh
Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj) ka bërë kontrolla në qendra të ndryshme të masazheve.
Në bazë të planit operativ, më 15 dhe 16 mars, hetuesit policorë nga DHTQNj këtë plan e kanë realizuar në bashkëpunim me inspektorë të MTI-së dhe me ATK-në.
Gjatë realizimit të operacionit janë kontrolluar/inspektuar 57 qendra masazhi. Janë iniciuar dy raste për përfshirje të të dyshuarve në veprat penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’ dhe ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’, nga i cili operacion janë arrestuar 6 të dyshuar, prej tyre dy janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë me aktvendim të prokurorit.
Me vendimin e inspektorëve janë mbyllur 14 lokale dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara.
Gjatë realizimit të operacionit policor janë legjitimuar 107 persona (96 femra, dy të mitura dhe 11 meshkuj). Nga personat e legjitimuar, me shtetësi të huaj janë hasur 19 nga Shqipëria, 4 nga Tajlanda dhe 1 nga Rumania. Shtetaset e huaja në mungese të paraqitjes së lejes së qëndrimit janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj e PK-së./S.K.























