Sekuestrohet një kilogram heroinë në portin e Durrësit
Një kilogram heroinë është sekuestruar mëngjesin e sotëm në portin e Durërsit. Kjo sasi është zbuluar gjatë një kontrolli të një kamioni që ndodhej i sekuestruar në Portin e Durrësit në kuadër të operacionit policor ‘ATTEMPT’.
Ky operacion kishte nisur që në 26 qershor 2021, nga policia Shkodër, ku u sekuestruan 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit, shtetasi S. P.
Në vijim të veprimeve specialistët kanë marrë informacion se në kamionin e sekuestruar në portin e Durrësit, gjatë operacionit “ATTEMPT”, në qershor 2021, mund të kishte përsëri lëndë narkotike dhe ushtruan kontroll të imtësishëm në kamionin tip “Scania”.
Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit të arrestuar S. P. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./t.ch/























