Për vrasjen në Kaçanik, deklarohet prokuroria (E plotësuar)
Emine Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, rreth orës 14:00, në Kaçanik, është vrarë një person, kurse një tjetër ka mbetur i plagosur.
Kjo si pasojë e të shtënave me armë.
“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati”, sqaron Prokuroria e Ferizajt.
Sipas tyre të arratisurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
Prokuroria deklaron se personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”.
Ora 16:40
Një i vrarë e një i plagosur në magjistralen Ferizaj-Kaçanik
Policia e Kosovës, sot rreth orës 14:00 ka pranuar informacionin se në rrugën Ferizaj-Kaçanik, tek vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit”, në afërsi të një kafiterie, janë plagosur dy persona.
Gazetari i RTK-së, Driton Ramadani, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, raporton se njëri nga ta, me inicialet H.B, i moshës rreth 30 vjeç, ka mbetur i vdekur nga goditja me armë zjarri.
Mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar se viktima është pa shenja jete.
Ndërkohë, personi i dytë, K.B rreth 32 vjeç, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, fillimisht në Spitalin e Ferizajt, e pastaj në QKUK.
Rastin për RTK-në, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai tha se policia dhe ekipet e tjera janë në vendin e ngjarjes duke marrë dëshmi për zbulimin e asaj se si ka ardhur deri tek ky incident. Aktualisht, ende nuk dihen motivet e këtij rasti.
Ora 16:20
Një i vrarë e një i plagosur në magjistralen Ferizaj-Kaçanik
Një person është vrarë me armë zjarri në Ferizaj. Sipas informacioneve të para të policisë, ngjarja ka ndodhur te vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit”, në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik përballë Varrezave të Dëshmorëve 2.
“Dy persona të moshës madhore kanë marr plagë nga arma e zjarrit”, deklaron policia në Ferizaj.
“Nga informatat e para njëri për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”.
Po ashtu, ka mbetur i plagosur edhe një tjetër i cili është transportuar drejt QKUK-së për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
“Ndërsa tjetri është transportuar për ndihmë mjekësore ne Ferizaj e më pas është transportuar për QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë në Ferizaj.
Gazetari i RTK-së, Driton Ramadani, njofton se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke kryer hetimet e para. Aty ndodhet edhe më tej automjeti i viktimave.























