Policia jep detaje për vrasjen në Kaçanik
Emine Hoti/RTKlive
Të martën një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur ndërsa një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.
E sipas raportit të Policisë së Kosovës ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 14:03.
I plagosuri është dërguar në spital në gjendje të rëndë pa vetëdije.
Tutje thuhet se dy persona janë të dyshuar për këtë rast, e të cilët gjenden në arrati.
“Është raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave njëri nga viktimat ka ndërruar jetë ndërsa tjetri është dërguar në spital në gjendje të rëndë pa vetëdije. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Në lidhje me rastin dy te dyshuar gjendet në arrati”, thuhet në raportin e policisë.
Edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se rreth orës 14:00, në Kaçanik, është vrarë një person, kurse një tjetër ka mbetur i plagosur.
Kjo si pasojë e të shtënave me armë.
“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati”, sqaron Prokuroria e Ferizajt.
Sipas tyre të arratisurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
Prokuroria deklaron se personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”.























