Parandalohet kontrabandimi i 800 kg duhan të papërpunuar
Emine Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës ka parandaluar të premten një rast të kontrabandës me duhan.
Automjeti është ndaluar në fshatin Ramjan të Vitisë me 800 kg. duhan të papërpunuar.
Sipas policisë, malli dyshohet të jetë i kontrabanduar, ndërsa furgoni është ndaluar tek po shfrytëzonte rrugët malore nga fshati Tanushë i Maqedonisë së Veriut e që ishte nisur në drejtim të Vitisë.
“Automjeti i ndaluar, me targa vendore dhe i drejtuar nga: S.I., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) ishte duke bërë transport të mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar. Gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg. (36 paketime) duhan të papërpunuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar automjeti me mallin e ngarkuar do të dorëzohet në terminalin doganor tek Dogana e Kosovës.























