Arrestohet shoferi i autobusit për aksidentin me fatalitet në Sibovc
BKT
Foto: RTKlive
Kronika

Arrestohet shoferi i autobusit për aksidentin me fatalitet në Sibovc

Blerim Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Policia e Kosovës me urdhër të prokurorit e ka arrestuar shoferin e autobusit, për rastin e aksidentit me fatalitet në magjistralen Prishtinë - Podujevë, ku humbën jetën burrë e grua, të moshës 36 respektivisht 35 vjeç, derisa u lënduan dy fëmijët e tyre.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.

Çifti nga Malisheva ishte duke ardhur për në vendlindje nga Sllovenia, kur në orët e hershme të mëngjesit me veturën e tyre u përplasën me një autobus.

Aksidenti fatal në Sibovc, RTK në familjen e viktimave - Video

Fatos Cërvadiku/ RTK
(E plotësuar) Dy persona mbetën të vdekur derisa dy të tjerë u lënduan pas një aksidenti që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

Viktimat të moshës 36 dhe 35 vjeç ishin nisur bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur nga Sllovenia për të ardhur për pushime në Kosovë, teksa u përplasën me një autobus në magjistralen Podujevë-Prishtinë.

Policia njofton se si pasojë e aksidentit dy persona nuk kanë arritur t'i përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë, derisa të lënduar nga ky aksident kanë mbetur dy fëmije të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.

Valbonë Gashi, specialiste e emergjencës, dha detaje për gjendjen e tyre. “Gjendja e tyre për momentin është stabile. Diagnostikimi pothuajse ka mbaruar. Njëri fëmijë është me lëndime kryesisht të ekstremitetëve të poshtme dhe tjetri ka lëndime të kokës dhe të ekstremitëve po ashtu”, ka theksuar ajo.

Ekipi i RTK-së ishte në familjen e viktimave, ku kishin hapur dyert për t`i pritur njerëzit për ngushëllime, pas humbjes së dy familjarëve. Babai i viktimës rrëfeu momentin kur kishte kuptuar për aksidentin.

“Dje u nis prej Gjermanie, me shku me i marrë fëmijët. Ka qenë në Gjermani duke punu. Tha du mu nis meniherë në aksham edhe ma skemi folë. I kemi qelë dyertë se gjithë vijke herët. Para orës 8 erdhën policia, thanë ka ndodhë një rast, një aksident në kufi. Tha a je ti filani, thashë po, tha shko në Fushë Kosovë dhe takohu me policinë e të kallxojnë”, ka thënë Asllan Sopaj, babai i viktimës.

Ngushëllime familjarëve u shprehu edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ishte për t’i vizituar dy fëmijët e viktimave të cilët janë duke marrë trajtim mjekësor.


Hapen dyert e zisë në familjen Sopaj në Jançishtë të Malishevës

Jeton Musliu/ RTKlive

(E plotësuar) Ishin nisur me automjetin e tyre nga Sllovenia ku jetonin e punonin, për të kaluar ditët e pushimeve verore në Kosovë-atdheun e tyre.

Megjithatë, vetëm disa dhjetëra kilometra pa mbërritur në shtëpinë e tyre në fshatin Jançishtë të Malishevës, ata pësuan një aksident të rëndë trafiku.

Derisa  udhëtonin në magjistralen Podujevë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Sibovc, ata humbën jetën.

Nga përplasja me një autobus, çifti  Sh. Sopaj, 36 vjeç dhe M.Sopaj 35 vjeç, të cilët bashkë me dy fëmijët e tyre, 4 dhe 5 vjec, udhëtonin me një automjet tip audi, mbetën të vdekur në vend.

Ndërkohë, të dy fëmijët kanë shpëtuar dhe aktualisht janë në Qendren Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të ditës së sotme.

 “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë së Kosovës.

“Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritur të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shkuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, atje ku po trajtohen dy fëmijët e familjes Sopaj.

Kastrati ka publikuar edhe fotografi me familjarët e viktimave, derisa u ka shprehur ngushëllime.

 “Është humbje e madhe për të gjithë dhe ndajmë dhimbjen bashkë me ju në këto momente të vështira për ju si familje dhe për të gjithë Komunën e Malishevës”, ka shkruar Kastrati.

Nga Emergjenca e Qendrës Klinike dhe Universitare e Kosovës kanë dhënë detaje për gjendjen e dy fëmijëve që mbetën të lënduar nga aksidenti në Podujevë, ku vdiqën dy persona.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka deklaruar se gjendja e tyre është stabile, por se të njëjtit kanë lëndime të rënda.

Ndërkohë, në familjen Sopaj në Malishevë, tashmë janë hapur dyert e zisë.

Të afërm por edhe qytetarë të tjerë, janë duke shkuar për të ngushëlluar familjen për këtë rast të rëndë.

Dy të vdekur e dy të lënduar në aksident  trafiku në Sibovc (Video)

Fazli Veliu/RTKlive

Dy persona kanë vdekur sot në një aksident trafiku në magjistralen Podujevë – Prishtinë dhe dy fëmijë janë lënduar. Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit.

RTK mëson se dy persona,  një mashkull dhe  një femër, vdiqën kur në fshatin Sibovc,  kur vetura me të cilën  po udhëtonin, me targa të huaja, u ndesh me një autobus.

Në vend të ngjarjes kanë dalë edhe  zjarrfikësit e Komunës së  Podujevës si dhe policia.

Policia e konfirmoi aksidentin. Sipas tyre, aksidenti ndodhi rreth orës 04:40, kur edhe kanë pranuar informatën se në rrugën Prishtinë - Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

"Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus”, konfirmon policia.

“Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, duke sqaruar se  vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

Policia sqaron se viktimat janë Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër,  35 vjeç, trupat e të cilëve janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, kurse dy personat e tjerë të lënduar e që janë fëmijë, janë dërguar për tretman mjekësor.


MË SHUME NGA Kronika