Wigemark: Sulmet kriminale ndaj policisë në veri duhet të ndalen menjëherë
Foto:EULEX
Kronika

Wigemark: Sulmet kriminale ndaj policisë në veri duhet të ndalen menjëherë

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar) Shefi i EULEX-it Lars Gunnar-Wigemark ka deklaruar se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri janë akte kriminale që duhet të ndalen menjëherë.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se EULEX-i do të shtojë patrullimet e saj në zonë.

“Të shtënat e sotme në liqenin e Ujmanit janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. EULEX do të shtojë patrullimet e saj në zonë.

Lista Serbe në barrikada, por akuzon ministrin Sveçla për sulmet ne veri

Edhe Lista Serbe reagoi pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, me armë zjarri në afërsi të liqenit të Ujmanit në veri të vendit.

Në deklaratën e saj, kjo parti deklaroi se dënon çdo lloj kërcënimi për sigurinë, pavarësisht se nga kush bëhet.

Megjithatë, Lista derbe, indirekt fajëson ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, duke kërkuar nga  qytetarët  që të që të mos bien pre e “provokimeve të Xhelal Sveçlës dhe autoriteteve nga Prishtina”.

“Ata po përpiqen të paraqesin popullin tonë në veri si zuzar dhe të krijojnë një alibi për vete për inkursione të dhunshme dhe keqtrajtime të popullit serb, nga Shtërpca në veri të Kosovës”, deklaron Lista Serbe.

Pavarësisht se kjo parti nuk përmend askund se është vetë pjese e vendosjes së barrikadave kur drejtues të saj marrin pjesë në to, përfshirë edhe kryetarin e partisë, Goran Rakiq, në deklaratë, Lista Serbe e akuzon Policinë e Kosovës se kinse shqetëson qytetarët serbë kur  shkon për të kryer detyrat.

“Nuk ka tensione dhe konflikte në zonat serbe dhe serbët jetojnë në paqe me shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët e të tjerë, por kjo nuk i shkon për shtat Prishtinës”, pretendon Lista Serbe, sipas së cilës, “pothuajse çdo ditë dërgon forcat speciale shqiptare të armatosura deri në dhëmbë në zonat serbe, të cilët pastaj të ngacmojnë qytetarët dhe të krijojnë kaos në të cilin vuajnë edhe të pafajshmit si Sreçko Sofronijeviq”.

Kjo parti thotë se duhet ruajtur qetësia “për të mbijetuar dhe qëndruar në këto zona”.

Kryeministri Kurti: Hetim të plotë për bandat në veri që sulmuan policinë

Edhe kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas sulmit me armë ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të liqenit të  Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut. Policia në ato momente ishte duke vendosur një varkë patrulluese, kur është sulmuar nga persona të armatosur dhe ende të paidentifikuar.

Me një deklarim në twitter, kryeministri Kurti deklaroi se  kjo është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në vëri të Kosovës.

“Rreth 10 të shtëna pati në drejtim të Policisë Kufitare që po vendoste një varkë patrullimi në liqenin e Ujmanit”, shkroi kryeministri.

“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, ka shkruar ai.

Në lidhje me këtë rast, kryeministri u shpreh se janë duke u bërë hetime për sulmin.

“Fatmirësisht, shpëtuam nga pasojat me viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë”.

Kryeministri i vendit rikujtoi se sot rrugët janë pa barrikada. “Por, bandat kriminale vazhdojnë të barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”.

Ministri Sveçla për sulmet në veri ndaj policisë në veri: Nuk tërhiqemi!

(Plotësuar) Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet ilegale serbe janë duke bërë përpjekje për të penguar punën e autoriteteve të Kosovës.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar sulmin e së shtunës ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sipas Policisë, njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.

Sveçla ka thënë se Policia ka qenë duke kryer kontrollin rutinor në këtë liqen.

“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar, ose për t’i vrarë ata”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Sulmohet me armë zjarri në veri, Njësia Policore Kufitare

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 11:25, njësia policore e stacionit policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në

Liqenin e Ujmanit, është sulmuar me armë zjarri. Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë.

“Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë”, deklaron policia.

“Nga këto të shtëna nuk ka persona të plagosur”..

Në asistencë të njësisë policore, ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.

“Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin”, deklaron Zyra për media e Policisë, duke shtuar se policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë.


APR
Romay Lift