Për gjashtë muaj, katër incidente ndëretnike në Kosovë
Jeton Musliu/RTKlive
Policia e Kosovës njoftoi se incidentet me motive ndëretnike, ndër vite, kanë shënuar rënie të theksuar.
Kështu, në periudhën janar – qershor të këtij viti, raste të mundshme ndëretnike, policia deklaron se janë evidentuar vetëm 4 të tilla apo 0.01 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve në nivel vendi.
“Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2021 janë regjistruar pesë raste të tilla”, deklaron policia.
Sipas raporteve gjatë periudhës janar- qershor 2022, rastet e mundshme ndëretnike janë një rast ku është evidentuar dëmtim i flamurit turk, një rast është shkrimi grafiteve në gjuhën serbe e 2 raste kanë ndodhur në Gazimestan ndaj shqiptarëve.
Në raportin e policisë sqarohen edhe rastet e mundshme me motive ndëretnike në Trashëgiminë Kulturore Fetare të cilat kanë shënuar rënie, ku në periudhën janar – qershor të këtij viti, janë evidentuar 48 raste, ku prej tyre 30 raste kanë ndodhur në objekte fetare myslimane, ndërsa 18 kanë ndodhur në ato ortodokse.
“Nga gjithsej 48 raste të kësaj periudhe gjashtëmujore, prej tyre 37 raste ose 77% kanë të bëjnë me vjedhje, vjedhje e rëndë dhe tentim vjedhje, kurse 11 raste ose 23% kanë të bëjnë me kanosje, asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe dëmtim i varrezave apo kufomave”.
Referuar statistikave zyrtare, rezulton se 77% e rasteve nuk janë në TKF, por kanë ndodhur në TKF apo brenda rrethojave të TKF-së, ku për qëllim kanë përfitimin pasuror.























