Osmani: E tronditur, dhunimi i 11 vjeçares, akt çnjerëzor
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
E para e shtetit është shprehur e tronditur me rastin derisa ka kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
Akt çnjerëzor e ka quajtur presidentja e shtetit Vjosa Osmani dhunimin seksual të 11 vjeçares në Prishtinë.
Përmes një reagimi në Facebook presidentja e shtetit është shprehur e tronditur me rastin derisa ka kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar presidentja.
Tutje e para e shtetit ka shkruar se dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqëri.
Prandaj, kërkoi që kryesit e këtyre veprave të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë.
Osmani ka thënë se nuk duhet lejuar që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.
“Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka thënë se është përgjegjësi kolektive kujdesi që të gjithë fëmijëve tu garantohet fëmijëri e dinjitetshme dhe të eliminohet dhuna mbi baza gjinore.

Pesë persona dyshohet se dhunuan një femër, arrestohen dy prej tyre
Jeton Musliu/ RTKlive
Një rast dhunimi ka ndodhur të dielën në Prishtinë, ku një femër, shtetase e Kosovës, ka lajmëruar rastin në polici.
Denoncuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar, kanë kryer këtë vepër të rëndë.
Policia njofton se lidhur me rastin, pas intervistimit, viktima është dërguar në strehimore.
Ndërkohë, dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Policia deklaron se rasti është në procedurë hetimore.























