Prangosën një 33 vjeçar e një 36 vjeçar për sulm seksual ndaj një gruaje
BKT
Foto: Ilustrim
Kronika

Prangosën një 33 vjeçar e një 36 vjeçar për sulm seksual ndaj një gruaje

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Arrestohen dy të dyshuar për sulm seksual. Policia e Kosovës njoftoi se tashmë dy personat e dyshuar se kanë kryer një akt të tillë, kur të dielën pasdite kanë futur me forcë një femër në veturën e tyre në Prishtinë dhe kanë kryer sulm seksual, tashmë janë prangosur.

Policia deklaron se të dyshuarit janë  A.G 33-vjeç dhe B.G 36-vjeç, por pa dhënë detaje të tjera.

“A. G, mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe B. G, mashkull 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore të cilën specialist për hetimin e krimit e kanë bërë në rastin e denoncuar me datën 28.08.2022”, njofton policia.

Pas arrestimit me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, ndaj dy personave u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për t’u proceduar më tej pas kompletimit të veprimeve të nevojshme. 

Rast tjetër i sulmit seksual në Prishtinë

Një rast sulmi tjetër seksual është regjistruar të dielën në Prishtinë, vetëm një ditë pas rastit, kur një vajzë 11 vjeç, dyshohet se u dhunua nga pesë persona.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën rreth orës 16:00 në rrugën “Agim Ramadani”, ka ndodhur një sulm seksual ndaj një gruaje, ku e njëjta është kidnapuar.

“Viktima femër kosovare ka informuar se dy persona të panjohur e kanë futur me forcë në veturë”, sqaron policia këtë rast.

“Më pas e kanë sulmuar seksualisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, e rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, shkruan në raport.

Përndryshe, ky është rasti i dytë pas atij të së shtunës, kur pesë persona, për shtatë   orë, dyshohet e përdhunuan një vajzë 11 vjeç.

Policia deklaroi se në lidhje me këtë rast, janë arrestuar katër persona, ndërkaq i dyshuari i pestë është ende në arrati.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy personave se së bashku me tre të tjerë dhunuan një të mitur gjatë së shtunës

 


MË SHUME NGA Kronika