BSPK e quan të papranueshme kanosjen e Jasharajt
BKT
Foto: RTK
Kronika

BSPK e quan të papranueshme kanosjen e Jasharajt

E.Hoti/RTKlive

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar ndaj kanosjes së kreut të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Rrahman Jasharaj, që ndodhi gjatë ditës së hënë në ambientet e shkollës fillore “Ismail Qemali”, në Prishtinë.

BSPK e ka quajtur këtë akt si të papranueshëm dhe jo të qytetëruar.“Sulmi i djeshëm, e hënë, më 5 shtator 2022, ndaj z. Rrahman Jasharaj është akt jo i qytetëruar e sidomos kur merren rrethanat dhe mjedisi ku është kryer sulmi. Të sulmohet përfaqësuesi sindikal dhe veterani i arsimit në mjediset e shenjta – në shkollë gjatë vizitës miqësore dhe për mendimin e drejtë ndryshe është plotësisht e papranueshme”, thuhet në reagim.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës aktin e djeshëm e sheh si diçka aspak të mirë, dhe nuk beson se është i organizuar, por si diçka që ka rrjedhë nga ngutja dhe nga mos analiza e rrethanave të zhvillimit të grevës së përgjithshme.

“Ajo që nuk pëlqehet nga BSPK-ja dhe që nuk do të duhej të pëlqehet as nga qytetarët e Republikës së Kosovës e as nga e gjithë bota demokratike është shfrytëzimi i fjalës së lirë të shprehjes në dëm të mjedisit të shëndetshëm demokratik. Është shumë keq dhe tejet e rrezikshme që askush nuk ndërmerr asgjë ndaj atyre që njollosin, shajnë, thërrasin në veprime armiqësore dhe kontribuojnë në krijimin e mjediseve armiqësore duke përhapur të pavërteta të qëllimta dhe të rrezikshme vetëm e vetëm për të ndërruar mendimin e drejtë të përfaqësuesve sindikalë të cilët janë në ballë të sindikatave se ashtu e kërkon ligji dhe norma”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se Jasharaj nuk është aty për Rrahman Jasharajn, por është aty se është caktuar të jetë aty nga ata që e kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe për të qenë zë i tyre.

“Mësueses e mësuesit që u mohohen të drejtat për shkak të mosveprimit të përgjegjshëm të atyre që janë të caktuar nga shoqëria të kujdesen për këtë shkon drejtpërdrejt në dëm të vet nxënësve të cilëve nuk u nevojiten mësuese e mësues me dinjitet të përdhosur nga pështjelluesit që pështjellin dhe prishin mjedisin demokratik. Greva e Përgjithshme është për nxënësit dhe dinjitetin e mësueses dhe mësuesit, për shoqërinë e për të punësuarin me dinjitet e jo si mundohen ta cilësojnë ata që nuk e duan mjedisin e mirëfilltë demokratik”, përfundon reagimi.

Dërgohet në mbajtje, gjyshi që u përplas verbalisht me Jasharajn

Policia e Kosovës e ka cilësuar si kanosje përplasjen e së hënës në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Në takimin që pati kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me mësimdhënësit grevistë në këtë shkollë, një person i moshuar tentoi të flasë me të, duke u shtyrë që t’i afrohet.

Ky i moshuar më vonë deklaroi se nuk kishte për qëllim që ta sulmonte Jasharajn, por t’i kërkonte atij ta ndërpresë grevën.  

Sidoqoftë, rasti u lajmërua në polici dhe u cilësua si "kanosje".

Kështu, policia njoftoi të martën se ky person, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.


MË SHUME NGA Kronika