Arrestohen 11 persona për trafikim të armëve e kultivim me marihuanë
RTK
(E plotësuar) Policia e Kosovës, në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka realizuar sot një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas njoftimit për media, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura.

Tutje thuhet në njoftim se si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar.
Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll).
“Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si: Shtatë (7) armë (2 Ak47, 5 revole), rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro (para të gatshme), 6 telefona, si dhe dokumente relevante për rastin”, njofton PK-ja.

Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale.
Policia aksion në 5 komuna, bastisje në 13 lokacione, ka të arrestuar
Lidhur me aksionin e sotëm të Policisë së kosovës në disa qytete të vendit njëkohësisht, Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore e Pejës, deklaroi se janë arrestuar disa persona.
Ai njoftoi se Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komunat e Kosovës.
Komunat po zhvillohet aksion janë në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë dhe janë duke u bastisur 13 lokacione, ku njëkohësisht është siguruar edhe vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit.
“Në fshatin Drejë të Istogut është gjetur plantacion me kanabis dhe do të bëhet asgjësimi i tyre”, deklaroi Nikçi.
Aksion kundër drogës në pesë komuna, ka edhe të arrestuar
Policia e Kosovës ka nisur në orët e hershme të mëngjesit një aksion të gjerë në pesë komuna, në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe në Mitrovicë.
Bëhet e ditur se në disa lokacione janë sekuestruar edhe armë, para dhe telefona, si dhe ka të arrestuar.
Aksioni po zhvillohet me urdhër të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur për RTK-në, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Në shënjestër të Prokurorisë janë 13 persona, të cilët dyshohen për import dhe shitblerje të paautorizuar të armëve dhe kultivim të bimëve narkotike.























