Një i arrestuar nën dyshimin se mashtroi me subvencione
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Hetues policor të antikorrupsionit kanë arrestuar një të dyshuar për mashtrim me subvencione dhe ushtrim të ndikimit i cili dyshohet se përfitoi dhjetëra mijë euro kundërligjshëm.
Sipas policisë i dyshuari në vitin 2020 kishte përfituar kundërlishëm subvencion duke paraqitur dëshmi të rreme.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, pas zhvillimit të hetimeve me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me dyshimet për keqpërdorime me subvencione, ka siguruar prova dhe dëshmi se personi i dyshuar me iniciale (XH.U.), përmes paraqitjes së dëshmive dhe të dhënave të rreme dhe duke ushtruar ndikim të kundërligjshëm ka përfituar subvencion në vlerë prej dhjetëra mijë euro në vitin 2020”, ka njoftuar Policia.
Pas intervistimit, i dyshuari me vendim të Prokurorit kompetent është ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejme ligjore.
























