Për dhunimin e të miturave në Klinë dhe Istog, dy të arrestuar
Islam Haxhiu/RTK
(Plotësuar) Dy persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit pas raportimit të dy rasteve të dhunimit të dy vajzave të mitura, 13 dhe 14 vjeç, në Klinë dhe Istog.
Këtë e pohuan zyrtarët e Policisë rajonale dhe ata nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Fadil Gashi, Zëdhënës i Policisë Rajonale në Pejë tha se rasti i raportuar në Komunën e Istogut ka ndodhur para një muaji.
“Rasti i raportuar në Komunën e Istogut ka ndodhur para një muaji më 9 gusht me arsyetimin se viktima ka qenë e frikësuar dhe është kanosur nga i dyshuari. Policia i është përgjigjur rastit dhe ka arritur për një kohë shumë të shkurtër ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, ndërsa në rastin e Klinës fillimisht prindi i viktimës ka raportuar largimin e vajzës nga shtëpia, e cila pas një kohe është kthyer në shtëpi dhe pasi është intervistuar viktima dyshohet që e njëjta është dhunuar. Me këtë rast menjëherë është identifikuar dhe arrestuar edhe i dyshuari i këtij rasti”, tha Gashi për RTK-në.
Ndërsa, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se këto raste do të trajtohen me prioritet.
“Fillimisht iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve dhe realisht këto janë raste të ndjeshme penale për shkak që kemi të bëjmë me viktima që janë nën moshën 14 vjeç, ndërsa këto raste duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Themelore ne Pejë”, tha Nikçi për RTK-në.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale në Pejë Fadil Gashi, gjatët ditës së sotme po ashtu është raportuar edhe për një rast tjetër të ngacmimit seksual në komunën e Istogut, me ç’rast pas një punë të shpejt hetimore të njësiteve policore atje, është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar i cili me urdhër të Prokurorit është dërguar në ndalim prej 48 orë.
Dy raste dhunimi vajzash të mitura, njëra në Istog e tjetra në Klinë
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, gjashtë 24 orëve të fundit, në dy raste të ndara, ka ndaluar dy (2) persona nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Dhunimi”
Në rastin e parë Prokurori i Shtetit ka ndaluar të dyshuarit F.SH, nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur në komunën e Klinës.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ndaj të pandehurit (F.SH) ka bërë sot kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatë Themelore të Pejës, për veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa në rastin e dytë, me urdhër të Prokurori të Shtetit është ndaluar i dyshuari M.Z., nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur nga komuna e Istogut gjatë muajit të kaluar.
Po ashtu, gjatë ditës se sotme, Prokurori i Shtetit për të pandehurin M.Z., do bëjë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës.
Lidhur me këto çështje penale, Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me të gjitha institucionet relevante, do t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e gjitha rrethanave të këtyre veprave penale.























