I sulmoi me sëpatë në oborr, prokuroria kërkon paraburgim
J.Musliu/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë, kërkoi caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit H.O.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Prokuroria njofton se, më 10 shtator 2022, në Rahovec, i pandehuri H.O., me dashje ka tentuar të privojë nga jeta dy persona, të dëmtuarit N.O. dhe Z.O.
Derisa i dëmtuari N.O., sipas prokurorisë, ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, i pandehuri fillimisht e sulmon atë duke e gjuajtur me gurë.
“Më pas merr sëpatën shkon në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarve, ku fillimisht dëmton automjetin e tyre, e pastaj, me sëpatë i sulmon të dy të dëmtuarit njërin pas tjetrit, duke i goditur në kokë”, deklaron prokuroria në arsyetimin e saj.
“Kështu vazhdon derisa ndërhynë vajza e të dëmtuarve e cila arrin që të pandehurit, t’ia largojë sëpatën”.
Prokuroria deklaron se si pasojë e lëndimeve e dëmtuara Z.O., rrëzohet në tokë, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.
Të dëmtuarit janë dërguar për trajtim në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjithashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri H.O., me dashje dëmton apo bënë të pa përdorshme pasurin e të dëmtuarit N.O., ku në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit me sëpatën që ka pasur në duart e tij, godet dhe dëmton automjetin e të dëmtuarit duke i shkaktuar dëme materiale.























