Themelorja në Prishtinë shpall aktgjykimin kundër katër të akuzuarve
Foto: Gjykata Themelore- Prishtinë
Kronika

Themelorja në Prishtinë shpall aktgjykimin kundër katër të akuzuarve

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve XH.SH, S.SH I.S dhe A.G. tre prej tyre të dënuar për veprat e njëjta penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, ndërsa i katërti për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Tre të akuzuarit XH.SH, S.SH dhe I.S janë dënuar me dënim me burg dhe gjobë dhe të njëjtëve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga 2 dhjetori i vitit 2018.

Xh.SH është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 9 vite, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 02.12.2018 e tutje, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 25 mijë euro për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Për të njëjtat vepra është dënuar edhe S.SH i cili do të mbajë 7 vite burgim në kohëzgjatje që do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 02.12.2018 e tutje si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 15 mijë euro për veprën penale.

Me 9 vite burg e 25 mijë euro po për këto vepra penale është shpallur fajtor edhe i akuzuari i tretë, I.S.

Ndërkohë i akuzuari A.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 26.03.2019 deri me datën 05.07.2019, për veprën penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Ndërsa në bazë të KPPRK-së, lirohet nga akuza sepse nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale, “Falsifikimi i dokumenteve”, por Gjykata shqipton dënim Plotësues - Konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale dhe atë, “Sasia e narkotikut e llojit “Heroinë”, në peshë bruto prej 113 kg e 507 gram dhe disa gram Heroinë substancë e kundërligjshme e përdorur për kryerjen e veprës penale, një veturë BMW si dhe disa konfiskime të tjera të cilat janë përdorur për kryerjen e këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.

Të akuzuarve XH.SH, S.SH dhe I.S, Gjykata ua ka vazhduar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle