Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit Sh.M
Kronika

Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit Sh.M

E.Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin SH.M.

Ai dyshohet për kryerjen e tri veprave penale: Mashtrimi, Falsifikim i dokumentit dhe Prezantim i rremë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në vazhdimësi Mashtrimi nga neni 323 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprës penale në vazhdimësi Falsifikimi i dokumentit nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës  si dhe veprës penale Prezantimi i rremë si person zyrtar nga neni 409 par.2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

 Tutje në njoftim thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer veprat penale, andaj me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit SH.M, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, po ashtu ekziston rreziku që i njëjti do ti asgjësojë, fsheh apo ndryshojë provat e veprës penale, ndikimit në dëshmitarë si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


MË SHUME NGA Kronika