Dy raste përdhunimesh të vajzave të moshës së mitur në Gjakovë
Jeton Musliu/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit E.N. Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunim”.
Prokuroria deklaron se të martën në Gjakovë, i pandehuri E.N. me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, të dëmtuarën e cila është e mitur.
“Pasi që paraprakisht kishin biseduar përmes rrjeteve sociale, takohen, dhe i pandehuri me automjetin e tij e merr të dëmtuarën dhe e dërgon tek një parking, fillon ta prek dhe ta puthë, e më pas e godet me shuplakë dhe me përdorim të forcës e pa pëlqimin e saj kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e njëjta arrin që të del nga automjeti dhe të paraqet rastin në polici”, deklaron prokuroria.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim.
Ndërkohë, një rast tjetër dhunimi ka ndodhur gjithashtu në të njëjtën ditë në Gjakovë.
Prokuroria Themelore në këtë komunë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit M.H, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunim.
Prokuroria njofton se të martën, i pandehuri kryen akt seksual me personin tjetër pa pëlqimin e saj, me të dëmtuarën e cila është e mitur.
“I pandehuri kishte krijuar lidhje dashurie me të dëmtuarën dhe pasi që kontaktojnë dhe takohen, shkojnë në një motel, ku i pandehuri kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur, dhe më pas paraqitet rasti në polici”.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim.























