13 të arrestuar e mijëra euro të konfiskuara në aksionin Policisë
J.Musliu/RTKlive
Policia e Kosovës ka kryer një aksion në rajonet e Prizrenit dhe Prishtinës, kundër organizimit të skemave piramidale, bixhozit e fajdeve.
Aksioni që është zhvilluar të mërkurën, ka përfshirë komunat e Prizrenit, Malishevës, Suharekës, por edhe Prishtinën.
13 persona janë arrestuar, janë kryer 19 bastisje dhe janë konfiskuara mbi 55 mijë euro dhe shuma të tjera të parave në valuta të tjera si franga, lek, dollarë e dinarë.
I koduar me emrin “Toto”, policia njofton se gjatë aksionit të ndërmarrë, disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar 1320 dinar serb”, deklaron Policia e Kosovës.
“Dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura”.
Të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.























