Policia në Shkodër sekuestron 86 kilogramë kanabis, 16 të arrestuar
BKT
Kronika

Policia në Shkodër sekuestron 86 kilogramë kanabis, 16 të arrestuar

RTSH

Policia e Shkodrës ka goditur një grup të mirëstrukturuar kriminal që merrej me kultivimin dhe shitjen e kanabisit, duke çuar në pranga 16 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Nëpërmjet një deklarate për mediat, drejtuesi i parë i Policisë Shkodër, Hamdi Fjora, tha se arrestimet erdhën në kuadër të finalizimit të operacionit “Bleran”, i zhvilluar në fshatin Bardhaj.

Mes të arrestuarve u kapën në flagrancë edhe 10 gra, konkretisht personat me inicialet D. H., D. Ç., D. H., F. Gj., H. B., M. H., E. D., B. M., V. H. dhe  F. B., nga Tirana, Kamza dhe Fushë Kruja.

42-vjeçarja me inicialet D.H., banuese në Kombinat, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.

Po gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë edhe shtetasit:  Z. Gj., 56 vjeç dhe A. Gj., 55 vjeçe (bashkëshortë) dhe 3 djemtë e tyre, E. Gj., 24 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe P. GJ., 31 vjeç, si dhe shtetasja F. Gj., 29 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit P. GJ.  Në kërkim u shpall shtetasi F. Gj., 31 vjeç, djali tjetër i bashkëshortëve Z. Gj. dhe A. Gj.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi P. Gj. grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje. Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkoitke, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim.


MË SHUME NGA Kronika