Arrestohet një i dyshuar dhe konfiskohen mbi 14 kg marihuanë
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Arrestohet një i dyshuar dhe konfiskohen mbi 14 kg marihuanë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

I dyshuari u arrestua pasi gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij i janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Policia e Kosovës njofton se hetuesit policor nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar një informacion për trafikim të bimëve narkotike, të njëjtin informacion e kanë trajtuar në aspektin policor dhe kanë filluar hetime paraprake për të zbardhur rastin.

Ndaj, sot në koordinim me prokurorin kujdestar dhe pasi është pranuar urdhëresa nga gjykatësi i procedurës paraprake, është bërë kontrollimi i një lokacioni në Prishtinë ku dyshohej se mund të gjendej lëndë narkotike.

“Në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti: “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe me akt-vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.


MË SHUME NGA Kronika