Arrestohen 14 persona të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale
V.Thaçi /RTKlive
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka bërë arrestimin e 14 personave të dyshuar për përfshirje në tri vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit arrestimi është bërë në rajonin e Mitrovicës – Veri dhe në rajonin e Prishtinës, në tri raste të ndara.
Në rastin e parë arrestimi është bëre për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, ku personi i dyshuar është mashkull kosovar me iniciale (M.M.). Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse në rastin e dytë arrestimi ka të bëjë me kontrabandim me migrantë, ku bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi është realizuar bastisje në pesë lokacione me ç’rast ka arrestuar 12 persona të dyshuar, prej tyre gjashtë shtetas kosovar dhe gjashtë shtetas të huaj si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë.
Sipas njoftimit policisë, gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë sekuestruar, një veturë, tri armë të gjata dhe tri armë të shkurta. Në konsultim me prokurorin e çështjes i njëjti ka lëshuar vendim për ndalim për shtetasit kosovarë, ndërsa për shtetasit e huaj pritet vendimi pas intervistimit të tyre.
E arrestimi në rastin e tretë ka bëjë me prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve, ku me datë 19.10.2022, Policia e Kosovës gjatë mbajtjes së një pike kontrolli ka ndaluar veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur katër qese me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë me peshë prej 35gram.
"Në konsultim me GjPP është marrë urdhër verbal për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë në vijim: Një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 708 gram, sasi e dyshuar e marihuanës me peshe rreth 902 gram, sasi e dyshuar e marihuanë me peshë rreth 163 gram (gjithësej 1.8kg substancë narkotike e llojit marihuanë), vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjellura të dyshuara të llojit Kanabis. Ne lidhje me rastin është njoftuar prokurori i kompetent i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar vendimin për ndalim policor prej 48 orësh", thuhet tutje në njoftim.























