Konfiskohen 700 litra vaj motorik të kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet në Sodovinë të Vitisë, të drejtuar nga i dyshuari me inicialet B.K nga Ferizaj, i cili transportonte 700 litra vajra motorike të kontrabanduara nga Maqedonia Veriut.
Në njoftim thuhet se sot rreth orës 15:00 është pranuar një informatë se nga fshati Tanushë-Republika e Maqedonisë së Veriut është duke lëvizur një kombi i bardhë, pa targa, i dyshuar me mallra të kontrabanduara dhe dyshohej se mallrat do t'i sjellë në drejtim të Vitisë.
Policia deklaron se Njësitet e Task Forcës operative të (DRPK) Lindje pas pranimit të kësaj informate kanë ndërmarr masa të nevojshme operativo-taktike duke bërë kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësorë të fshatrave të Vitisë.
“Njësitet e angazhuara policore, ndërkohë kanë pranuar informata tjera relevante se kombi i dyshuar i cili kishte sjell mallrat nga Maqedonia veriore i kishte shkarkuar ato diku në fshatin Drobesh –Viti, përderisa mallrat e shkarkuara nga kombi janë ngarkuar në mjetin tjetër transportues WV Caddy ngjyrë e kuqe me targa vendore dhe i njëjti është në drejtim të rrugës Viti – Gerlicë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjatë një veprimi taktik Policia e Kosovës ka arritur që në fshatin Sodovinë, komuna e Vitisë ta ndalojë automjetin e lartcekur qe drejtohej nga i dyshuari me inicialet B.K mashkull kosovar nga Ferizaj.
“Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuar vajra motorike 70 pako me nga 10 litra; në total 700 litra të cilat ishin të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë Veriore në Republikën e Kosovës”.
Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet për procedura të mëtejme ligjore.























