Sulmojnë personin me të cilin u aksidentuan e më pas edhe policët
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në Rahovec, të cilët kishin sulmuar personin me të cilin ishin aksidentuar.
Policia sqaron se të dyshuarit po ashtu i kanë penguar, sulmuar dhe i kanë kanosur dy zyrtarë policorë, që ishin duke u marrë me rastin e aksidentit.
Tutje bëhet e ditur se dy të dyshuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit dhe njëri prej tyre kur e ka kuptuar se do të dërgohet në mbajtje ka tentuar të arratiset.
“Si pasojë e rastit viktima dhe njëri nga zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Ndërkaq rasti po hetohet si “Sulm ndaj personit zyrtar, kanosje ndaj personit zyrtar, lëndim trupor, si dhe arratisje e personit të privuar nga liria”.























