Policia jep detaje për sulmin ndaj shtëpisë së familjes Trajkoviq
RTKlive
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sulmin e mbrëmshëm me koktej molotovi në oborrin e një shtëpie në Kishnicë të komunës së Graçanicës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, përderisa janë duke u kryer hetime intensive.
“Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se një i dyshuar i panjohur ka hedhur një shishe qe dyshohet të jetë me koktej molotovi para oborrit të shtëpisë së viktimës mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Sipas policisë nuk është raportuar për të lënduar.
“Rastit ju kanë përgjigjur njësitet relevante policore dhe nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale”, njofton policia.
Të dielen rreth orës 20:00 është hedhur një “koktej molotovi” në shtëpinë e familjes Trajkoviq në Kishnicë, ka konfirmuar për RTKLive Jelena Trajkoviq.
“Ky nuk është sulmi i parë në shtëpinë tonë, sonte hodhën një shishe me lëndë djegëse, për fat të mirë zjarri nuk ka arritur në shtëpi, nuk ka dëme materiale. Megjithatë, të gjithë jemi të shqetësuar, në shtëpi ka qenë një fëmijë trevjeç, ndërsa unë jam shtatzënë. Policia ka qenë, ka bërë hetim. Megjithatë gjithçka do të jetë si deri tani, nuk besojmë se autorët do të dalin para drejtësisë", ka thënë Trajkoviq.























