Policia kap mbi 3 kg heroinë, arreston katër të dyshuar
BKT
Foto: Policia
Kronika

Policia kap mbi 3 kg heroinë, arreston katër të dyshuar

V. Thaçi / RTKlive

Policia e Kosovës njofton se si rezultat i punës hetimore dhe operative në terren, sot rreth orës 11:00 në Fushë Kosovë, njësitë policore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, i shoqëruar nga e dyshuara femër kosovare, nën dyshimin se i njëjti ishte duke transportuar substancë narkotike të llojit heroinë.

“Pas ndalimit të mjetit të lartcekur përkundër tentativës së personit të dyshuar për të ikur nga vendi i ngjarjes, i njëjti është ndaluar nga zyrtarët policor ku gjatë kontrollit të realizuar tek automjeti i tij janë gjetur gjashtë paketime të mbështjella, me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë prej gjithsej 3 kg 64 gr”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kujdestar si dhe gjyqtari i procedurës paraprake me urdhër të së cilëve janë realizuar dy bastisje në dy lokacione të ndryshme, njëra në Fushë Kosovë e tjetra në Komoran, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si në vijim:

Gjashtë paketime me substancë narkotike të llojit mariuhanë me peshë 102 gr; një tabletë e gjysmë substancë e dyshuar e llojit ekstazi; dy grindura, një peshore; katër telefona mobil, një veturë si dhe është sekuestruar sasia e lartcekur e substancës së llojit heroinë prej 3kg 64gr.

Policia ka njoftuar se për këtë rast janë arrestuar katër persona të dyshuar, dy femra dhe dy meshkuj kosovarë, të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.


MË SHUME NGA Kronika