Bashkëpunimi me policinë, mbi 10 mijë raportime për shkelje të ligjit
M.Shefkiu/RTKlive
Që nga lansimi i aplikacioni në Policinë e Kosovës “Lajmëro Policinë”, në nivel vendi janë raportuar rreth 10 mijë e 700 raste të ndryshme, që ndërlidhen me trafikun rrugor, posedim të armëve, drogës, raste të dhunës dhe korrupsionit.
Kështu thuhet në një raport lëshuar nga Policia e Kosovës.
Kjo e fundit thuhet se po punon me përkushtim për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë parandalimin e kriminalitetit, luftimin e dukurive negative, menaxhimin dhe kontrollin e kufirit, mundësimin e lëvizjes së lirë, si dhe respektimin e të drejtave njerëzore.
“Duke vlerësuar lart bashkëpunimin me qytetarët dhe raportimet përmes kësaj platforme, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për raportimin e rasteve të ndryshme dhe bashkëpunimin e ofruar në arritjen e objektivave të përbashkëta për garantimin e një sigurie të përgjithshme dhe inkurajon të gjithë qytetarët, pa dallim, në të gjitha rajonet policore, posaçërisht në rajonin e Mitrovicës Veri, që edhe më tutje rastet të raportohen pa hezitim në mënyrën më të lehtë dhe më të qasshme për ta”, thuhet në raportin e Policisë.
Të gjitha raportimet nga ana e qytetarëve përmes këtij aplikacioni ofrojnë transparencë, konfidencialitet dhe anonimitet të plotë, thuhet në raportin e Policisë. Kjo e fundit ka dhënë edhe dy videospote sensibilizuese, por edhe numrat kontaktues për qytetarët që gjenden në faqen zyrtare të Policisë.























