Policia parandalon konfliktin në mes të nxënësve të dy shkollave
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës njofton se zyrtarët e stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht të njësitit me rroba civile që operojnë në afërsi të shkollave, kanë parandaluar sot një konflikt mes disa nxënësve.
Rasti ka ndodhur rreth orës 13:30, në afërsi të një shkolle në kryeqytet.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se lidhur me rastin janë arrestuar 11 persona.
“Pas marrjes së informatave se personat në fjalë kishin lënë një takim për të “zgjidhur” një mosmarrëveshje mes tyre, ka qenë reagimi i shpejtë i policisë ai që ka mundësuar arrestimin e 11 personave”, deklaroi Ahmeti.
Ajo tutje bëri të ditur se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
“Vlerësojmë lart, kontributin e secilit qytetar dhe i inkurajojmë për bashkëpunim të mëtejmë. Bashkëpunimi juaj me Policinë e Kosovës, po ndikon dukshëm në parandalimin e dukurive negative”, tha Ahmeti.























